Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur pikëllimin e saj të thellë për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit të Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar Nexhat Daci.
Në një mesazh ngushëllimi, Presidentja Osmani e ka cilësuar akademik Dacin si një personalitet të rrallë, që bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën publike dhe shtetërore të Kosovës.
Ajo ka theksuar se Nexhat Daci dha kontribut të jashtëzakonshëm si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore, duke qenë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të themeleve të shtetit të Kosovës.
Presidentja Osmani ka rikujtuar gjithashtu rolin e tij gjatë viteve më të vështira për popullin e Kosovës, veçanërisht në vitet ’90, kur Daci u angazhua fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
“Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës,” ka theksuar Osmani, duke nënvizuar edhe rolin e tij në zhvillimin e arsimit të lartë dhe avancimin e shkencës.
Në fund, Presidentja e Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët, duke theksuar se kontributi shumëdimensional i akademik Nexhat Dacit do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të Kosovës.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin,” përfundon mesazhi i Presidentes.

