Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.
Gjatë ceremonisë, Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit dhe e përgëzoi për detyrën e re, duke theksuar gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ajo vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë, si dhe falënderoi Slloveninë për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën euroatlantike dhe procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani gjithashtu nënvizoi rolin e rëndësishëm të Sllovenisë si një nga iniciatorët e Procesit Brdo-Brijuni, duke theksuar rëndësinë e këtij formati për dialogun rajonal, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.