Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni mbi zgjedhjet parlamentare të mbajtura më herët këtë vit.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për eurodeputeten Loiseau dhe ekipin e misionit vëzhgues për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo vlerësoi veçanërisht prezencën e misionit, e cila u realizua me kërkesën e saj, si dëshmi e përkushtimit të shtetit të Kosovës ndaj transparencës, llogaridhënies dhe standardeve të larta demokratike.
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare të popullit tonë. Një proces i qetë, i rregullt dhe demokratik që tregon se demokracia në Kosovë jo vetëm që është gjallë, por edhe në zhvillim të qëndrueshëm,” tha Presidentja Osmani.
Nga ana e saj, eurodeputetja Nathalie Loiseau përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin institucional dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike. Ajo theksoi se zgjedhjet janë organizuar në mënyrë paqësore dhe transparente, ndërsa vlerësoi lart bashkëpunimin që qytetarët dhe institucionet e Kosovës i ofruan misionit të BE-së.
Në takim u diskutuan gjithashtu edhe rekomandimet e raportit të BE-së, me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të proceseve zgjedhore dhe forcimit të demokracisë në Kosovë.
Takimi shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin demokratik të vendit, ndërsa raporti i BE-së pritet të shërbejë si udhërrëfyes për avancimin e mëtejshëm të standardeve zgjedhore dhe institucionale.