Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot me ceremoni shtetërore Guvernatorin e Përgjithshëm të Antigua dhe Barbudas, Sir Rodney Williams, në një takim që pasqyron forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit.
Me nderimet më të larta protokollare, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhjen zyrtarit të lartë nga Karaibet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme.
Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Presidencës, Guvernatori Williams do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës do të zhvillojë takime të nivelit të lartë institucional. Po ashtu, ai do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nën udhëheqjen e Presidentes Osmani.
Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës dhe rritjes së pranisë së saj në forume globale për çështje të sigurisë dhe barazisë gjinore.