Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, ku u diskutuan zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend.
Gjatë takimit, fokus u vu tek procesi i konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e saj për të vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Presidentja gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe partneritetin e palëkundur ndërmjet dy shteteve. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për thellimin e këtij partneriteti dhe mbështetjen e rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.