Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim njoftues Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vend.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe theksoi se vizita e tij do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Ajo vlerësoi gjithashtu hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan si një arritje të rëndësishme dhe shprehu besimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të forcojë më tej marrëdhëniet me Vatikanin.
Në bisedën me Nuncin Bianco, Presidentja rikujtoi vizitën e saj në Vatikan dhe takimin e veçantë me Papa Françeskun, të cilin e konsideroi një moment të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet dy palëve.
Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të vijuar bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë nën udhëheqjen e Papa Leos, duke theksuar angazhimin për paqen, dialogun ndërfetar, si dhe forcimin e vlerave universale të solidaritetit dhe humanizmit.