Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, si një element thelbësor i demokracisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.
Në deklaratën e saj, Presidentja ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjet e drejtpërdrejta të Serbisë në zgjedhjet lokale, të cilat, sipas saj, janë një praktikë e përsëritur ndër vite. Ajo theksoi se këto ndërhyrje po shfaqen përmes blerjes së votave, presioneve, frikësimeve dhe akteve të dhunës.
“Ndërhyrjet e Beogradit zyrtar përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës dhe vullnetit demokratik të qytetarëve tanë,” deklaroi Osmani, duke dënuar ashpër këto veprime.
Presidentja u bëri thirrje akteve politike, institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë që të angazhohen për të mbrojtur votën e lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor, si dhe të dënojnë çdo akt që cenon demokracinë në vend.