Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka kërkuar alokim të parakohshëm të 1/12-tës së buxhetit të muajit dhjetor, me qëllim që ta shpenzojë që tani – gjatë muajit nëntor. Kërkesa është bërë sot në Thesar dhe, sipas Muratit, është miratuar.
Sipas ministrit, buxheti i dhjetorit po kërkohet në mënyrë të parakohshme për të paguar një pjesë të faturave të grumbulluara, përfshirë ato të energjisë elektrike.
“Buxhetin që do të duhej të shpenzohej në dhjetor, po kërkojnë ta përdorin në nëntor për të paguar faturat e prapambetura”, shkroi Murati.
Por ai paralajmëroi se një veprim i tillë vetëm e shtyn problemin, pa e zgjidhur atë:
“Dhjetori mbetet pa buxhet”, theksoi Murati, duke shtuar se Thesari po e bën këtë alokim të parakohshëm vetëm që të mund të paguhen një pjesë e obligimeve urgjente.
Murati fajëson LDK-në për situatën
Ministri në detyrë u shpreh se situata nuk do të ishte krijuar fare nëse para dy ditësh LDK-ja do ta kishte votuar buxhetin e Komunës së Prishtinës.
“Zgjidhja do të ishte që pardje LDK-ja ta votonte buxhetin e Prishtinës. Nuk do të kishte nevojë për këso improvizimesh”, shkroi ai.
Murati akuzoi kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk erdhi fare në seancë dhe se dje “u mundua të keqpërdorë prindërit e fëmijëve në çerdhe duke ia hedhur fajin Ministrisë së Financave për buxhetin që vetë LDK-ja nuk e votoi”.
Me miratimin e kërkesës për shpenzim të buxhetit të dhjetorit paraprakisht, Komuna e Prishtinës pritet të paguajë disa prej faturave të grumbulluara — por rrezikon të hyjë në dhjetor pa mjete financiare, nëse buxheti nuk kalon me kohë.

