Në rangimin e korrikut 2025 të Webometrics – që përfshin mbi 32.000 institucione të arsimit të lartë nga mbi 200 vende të botës – Universiteti i Prishtinës ruan epërsinë si institucioni më i mirë në hapësirën mbarëshqiptare, me një renditje globale prej 2909.
Kjo listë, që reflekton dukshmërinë digjitale dhe aktivitetin kërkimor të universiteteve, e vendos Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një garë të fortë akademike, por me kontraste të theksuara mes universiteteve publike dhe private.
Top 5 institucionet më të mira në hapësirën shqiptare (sipas Webometrics, korrik 2025):
-
Universiteti i Prishtinës – 2,909
-
Universiteti i Tiranës – 4,200
-
Kolegji UBT, Prishtinë – 4,724
-
Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë – 4,834
-
Universiteti Epoka, Tiranë – 5,113
Fundi i listës dhe nevoja për reflektim
Në anën tjetër të spektrit, Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit zë pozitën e fundit në mesin e institucioneve më të mira të rajonit, me një renditje globale të dobët prej 20,049. Kjo përkeqësim sinjalizon nevojën urgjente për rritje të cilësisë dhe vizibilitetit akademik, sidomos në universitetet publike në Kosovë.
Rëniet e shumicës së institucioneve këtë vit lidhen me ndryshimin metodologjik të Webometrics, i cili ka zëvendësuar Google Scholar me OpenAlex si burim për citimet akademike – një platformë më transparente dhe e fokusuar në qasjen e hapur (open access).
Ky ndryshim favorizon institucionet që botojnë në mënyrë të hapur dhe të aksesueshme, duke theksuar rëndësinë e hulumtimit të lirë dhe të gjurmueshëm ndërkombëtarisht.
Një pengesë kryesore për progresin e universiteteve publike është ndikimi politik në menaxhimin e tyre. Politizimi i emërimeve të drejtuesve ka çuar në mungesë transparence dhe efikasiteti. Për të ndryshuar këtë, nevojitet një proces i depolitizuar për përzgjedhjen e rektorëve dhe drejtuesve të tjerë, bazuar në meritë dhe kompetencë. Po ashtu, rektorët me performancë të dobët dhe të përfshirë në skandale të vazhdueshme mediatike duhet të zëvendësohen me liderë që demonstrojnë integritet dhe aftësi menaxheriale. Kjo do të rikthejë besimin e publikut dhe do të sigurojë një mjedis akademik të shëndetshëm.
Një Mundësi për Transformim
Kontrasti mes universiteteve publike dhe kolegjeve private është një thirrje për veprim. Me politika të matshme për cilësi, digjitalizim, bashkëpunime ndërkombëtare dhe depolitizim, arsimi i lartë publik në Kosovë mund të kthehet në një motor zhvillimi. Reforma urgjente është jo vetëm e nevojshme, por edhe një mundësi për të ndërtuar institucione që i shërbejnë studentëve dhe shoqërisë në mënyrë efektive.
Grafika marrë nga> Prof .Blerim Rexha