Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot e dielë, rruga “Eqrem Çabej” do të jetë e mbyllur përkohësisht për shkak të xhirimeve të filmit “DUA”.
Sipas njoftimit zyrtar në faqen “Kryeqyteti Prishtina”, mbyllja do të zgjasë nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 18:00, në segmentin nga semaforët kryesorë te Menza e Studentëve deri te Katedralja “Nënë Tereza”.
“Xhirimet pritet të zgjasin rreth 12 orë. Lusim qytetarët të përdorin rrugët alternative për qarkullim, derisa xhirimet të përfundojnë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj,” thuhet në njoftim.
Filmi “DUA” është një nga projektet filmike që po zhvillohen në Prishtinë këtë periudhë, dhe xhirimet e tij pritet të sjellin edhe përkohësisht ndërprerje në disa akse rrugore të kryeqytetit.

