Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot për fillimin e një projekti madhor që synon të sigurojë ujë të pastër dhe ajër të pastër për qytetarët e kryeqytetit dhe zonave përreth. Projekti është rezultat i bashkëpunimit mes Komunës së Prishtinës, KRU Prishtina, Komunës së Fushë Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas Ramës, nënshkrimi i marrëveshjes për realizimin e këtij projekti shënon një hap të rëndësishëm drejt një Prishtine më të qëndrueshme dhe me standarde evropiane.
“Ky projekt nuk është vetëm tubacione dhe infrastrukturë. Është një investim në shëndetin, sigurinë dhe dinjitetin tonë të përbashkët”, u shpreh ai.
Në kuadër të këtij projekti pritet të përfitojnë mijëra qytetarë, duke krijuar kushte më të mira jetese dhe një mjedis më të pastër. Kryetari Rama theksoi se çdo investim i tillë është një trashëgimi për gjeneratat e ardhshme.
Ky hap shihet si pjesë e përpjekjeve për të forcuar infrastrukturën bazë dhe për të garantuar një mjedis më të shëndetshëm për banorët e kryeqytetit.