Policia greke është në kërkim të autorit të vrasjes së profesorit të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i cili u qëllua për vdekje më 4 korrik në një periferi të Athinës, në rrethana ende të paqarta.
Viktima është Przemyslaw Jeziorski, 43 vjeç, profesor i ekonomisë dhe marketingut në Shkollën e Biznesit Haas në UC Berkeley. Ai ndodhej në Greqi për të vizituar fëmijët e tij dhe për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore për kujdestarinë familjare.
Sipas zëdhënëses së policisë, Konstantina Dimoglidou, sulmi ndodhi rreth orës 16:15 pasdite në lagjen Agia Paraskevi, pranë shtëpisë së ish-bashkëshortes së tij. Një person i maskuar iu afrua Jeziorskit në këmbë dhe e qëlloi disa herë në qafë dhe gjoks me një armë zjarri kalibër 9 mm. Shtatë gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes.
Dëshmitarë okularë kanë deklaruar për mediat lokale se panë një burrë të veshur me të zeza të largohej me vrap pas të shtënave. Njëra prej tyre tha se dëgjoi rreth gjashtë të shtëna.
Burime nga policia greke, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së rastit, thanë për CNN se janë duke shqyrtuar të gjitha pistat hetimore, përfshirë edhe lidhjet e mundshme me krimin e organizuar. Sipas të njëjtave burime, ekzistojnë shenja që sugjerojnë mundësinë e një “vrasjeje me pagesë”.
Autoritetet kanë konfirmuar se Jeziorski nuk ka pasur precedent penalë në Greqi. Ish-bashkëshortja e tij nuk ka komentuar ende lidhur me ngjarjen.
Hetimet janë në vijim.