Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policia e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.
Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjatë përcjelljes së vazhdueshme të procesit të rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të rinumërimit në këtë komunë.
Në këtë kontekst, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave, evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimit të provave që lidhen me këtë çështje.
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se po e përcjell nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat e tjera që bien në kompetencën e saj. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për veprime të tjera hetimore.
Në njoftim theksohet se Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë.

