Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një të dyshuari për shitblerje të narkotikëve.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për personin me inicialet A.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, ndaj të cilit është iniciuar hetim nga Departamenti për Krime të Rënda.
Ngjarja ka ndodhur më 3 prill rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, konkretisht në parkingun e një restoranti, ku i dyshuari është kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Pas vëzhgimit dhe identifikimit, autoritetet kanë kryer kontroll në automjetin e tij të tipit “Ford Focus”, ku në ulësen e pasme janë gjetur 10 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sasia e sekuestruar arrin në rreth 5 kilogramë e 413 gramë, e ndarë në disa qese najloni dhe letre, të përgatitura për shpërndarje.
Përveç narkotikëve, policia ka sekuestruar edhe automjetin që dyshohet se është përdorur për transportin e drogës, si dhe dy telefona mobilë.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, sipas nenit 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktualisht, i pandehuri ndodhet në ndalim 48-orësh me vendim të prokurorit të shtetit, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës për kërkesën e paraburgimit.
Rasti mbetet në procedurë hetimore.

