Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngrirë pasuri në vlerë mbi 10 milionë euro në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në rastin e njohur si “Prona e Veternikut”.
Sipas njoftimit, më 13 tetor 2025, gjatë fazës së hetimeve, Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalues të përkohshëm për një sipërfaqe prej 7 hektarësh tokë, duke kërkuar nga gjykata që të ndalojë çdo veprim juridik mbi pronën — përfshirë shitjen, transferimin, dhurimin, zvogëlimin apo ngarkimin e saj — deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Pasuria në fjalë është identifikuar si objekt i dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka zgjeruar hetimet kundër të pandehurve A.G., Y.H. dhe M.G. për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” (neni 390) dhe “Deklarimeve të rreme” (neni 384) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka theksuar se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa ka riafirmuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjshmërisë dhe trajtimin me seriozitet të rasteve që prekin pronën dhe interesin publik.