Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë kontrolli në 20 lokacione në komunat Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, me qëllim verifikimin e kushteve të sigurisë në vendet e punës.
Aksioni, i udhëhequr nga Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, u mbështet nga nëntë prokurorë të shtetit dhe 60 zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë. Gjatë kontrolleve, në të gjitha lokacionet u evidentuan parregullsi serioze që rrezikonin sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve.
Si rezultat, me autorizim të prokurorit të shtetit, janë shoqëruar në polici personat përgjegjës të kompanive kontraktuese, ndërsa shtatë vendpunime u mbyllën – dy në Pejë, tre në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan.
Në rastet ku janë konstatuar elemente të veprave penale, janë iniciuar procedura për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, të parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, institucionet përkatëse janë njoftuar për të ndërmarrë veprime ligjore lidhur me lejet ndërtimore, punimet e paligjshme dhe çështje të tjera që do të raportohen në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Sipas statistikave të Prokurorisë, vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë regjistruar 19 raste të kësaj natyre. Fatkeqësisht, në këtë periudhë tre punëtorë kanë humbur jetën, ndërsa 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda në vendin e punës.
Prokuroria Themelore e Pejës thekson se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve dhe bën apel që çdo qytetar që ka informacion për raste të ngjashme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, në mënyrë që shkelësit të ndiqen penalisht.