Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut, F.M. dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës, dhe H.M., si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, dyshohen se më 25 prill 2021, duke shfrytëzuar funksionin e tyre publik, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për palë të treta, duke shkaktuar dëm ndaj pronës publike.
Prokuroria pretendon se të pandehurit, ndonëse ishin në dijeni që Kuvendi i Komunës kishte shpallur dy herë me interes të posaçëm publik një pronë të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një propozim-vendim për këmbimin e pronës, duke e paraqitur atë si pronë komunale. Me këtë veprim, sipas aktakuzës, ata i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në vlerë prej 125,100 euro.
Përveç kësaj, F.M. akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar edhe shqiptimin e dënimeve plotësuese për të pandehurit.