Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.
Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi është dhënë për hetimin e dyshimeve për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodi Penal i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Prokuroria bën të ditur se gjatë procesit të numërimit janë evidentuar dyshime për parregullsi dhe mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë, pas përfundimit të numërimit në këtë komunë.
“Ekzistojnë dyshime për mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe trajtimin e çdo rasti që cenon integritetin e procesit zgjedhor.
Hetimet janë në fazën fillestare dhe autoritetet kanë paralajmëruar se për çdo zhvillim të ri do të njoftohet opinioni publik.

