Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në këtë komunë, pas raportimeve për parregullsi të mundshme gjatë procesit zgjedhor.
Në njoftimin zyrtar të bërë publik sot, Prokuroria ka theksuar se ndërhyrja u bë pas ankesave të komisionerëve, të cilët raportuan për numra serikë të ndryshëm në disa fletëvotime – situatë që ngjalli dyshime për gabime teknike apo edhe manipulime të qëllimshme.
“Procesi i numërimit është pezulluar deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një gabim teknik apo manipulim të mundshëm”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
Ky vendim synon të shmangë çdo dilemë dhe të garantojë transparencë të plotë në procesin e numërimit, që është pjesë kyçe e fazës paszgjedhore.
Sapo të merret raporti përfundimtar nga kompania shtypëse e fletëvotimeve, Prokuroria do të vendosë për hapat e mëtejshëm, në varësi të konstatimeve ligjore dhe teknike.

