Protesta e organizuar sot në kryeqytet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK), në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, ka marrë përmasa të gjera qytetare, duke përfshirë edhe fytyra të njohura të jetës publike në Kosovë.
Në këtë tubim simbolik, ku u kërkua drejtësi dhe lirimi i menjëhershëm i të akuzuarve nga Gjykata Speciale, në mesin e protestuesve janë vërejtur edhe figura të njohura të showbizit, si këngëtari Blero dhe modelja e njohur Xhulia Nura. Pjesëmarrja e tyre në protestë u interpretua nga qytetarët si një shenjë e sensibilizimit më të gjerë për çështjen e ish-udhëheqësve të luftës.
Të dy nuk kanë dhënë deklarata për media, por prezenca e tyre është përshëndetur në rrjete sociale, ku janë shpërndarë fotografi dhe video nga protesta.
Protesta u hap me fjalimin e bashkëshortes së Jakup Krasniqit, e cila, e emocionuar, kërkoi nga Gjykata Speciale që të mos shpallë aktgjykim dënues në emër të popullit.
“Ky është zëri i popullit. Nuk duhet të ketë vendim dënues në emrin tonë. Ata duhet të lirohen sa më shpejt,” u shpreh ajo para të pranishmëve, duke shtuar se protestat duhet të vazhdojnë deri në lirimin përfundimtar të të akuzuarve.
Ky mobilizim i sotëm, përveç se ka pasqyruar mbështetjen e gjerë qytetare për të akuzuarit në Hagë, ka treguar edhe afrimin e figurave publike ndaj temave të ndjeshme shoqërore, siç është drejtësia për luftëtarët e UÇK-së. Organizatorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.