Në sheshin kryesor të Shkupit sot po zhvillohet protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka dalë publikisht në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen dhe gjykohen në Hagë.
Organizatorët kanë theksuar se protesta do të jetë krejtësisht paqësore, ndërsa pjesëmarrja pritet të jetë e lartë, duke pasur parasysh mobilizimin e vazhdueshëm të veteranëve në rajon dhe tubimet e fundit në Prishtinë, Tiranë dhe qytete të tjera.
Sipas tyre, protesta ka për qëllim shprehjen e pakënaqësisë së akumuluar për trajtimin ndaj drejtuesve të luftës së UÇK-së, veteranëve dhe procesit të drejtësisë që — sipas tyre — “shpesh është zhvilluar me padrejtësi, me paqartësi dhe pa respekt për kontributin e tyre në çlirimin e vendit”.
Kjo nismë vjen në një kohë kur pakënaqësia e pjesëtarëve të UÇK-së është rritur lidhur me zgjatjen e procesit gjyqësor në Hagë, që veteranët e cilësojnë si “politikisht të motivuar” dhe larg standardeve të drejtësisë së paanshme.
Protesta në Shkup synon të dërgojë mesazhin se mbështetja për ish-udhëheqësit e UÇK-së mbetet e fortë në mbarë hapësirat shqiptare.

