Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, ndërsa sot pritet të nisë rinumërimi.
Sipas rezultateve nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, në listën e dhjetë kandidatëve më të votuar dominojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në krye të listës qëndron Albin Kurti me 342 mijë e 331 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 264 mijë e 330 vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë e 126 vota. Hekuran Murati renditet i katërti me 137 mijë e 810 vota, ndërsa Donika Gërvalla-Schwarz është e pesta me 131 mijë e 841 vota.
Nga partitë e tjera, më i votuari është Bedri Hamza nga PDK me 126 mijë e 936 vota, i renditur i gjashti në nivel vendi.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, renditet i 12-ti me 83 mijë e 892 vota.
Sipas rezultateve përfundimtare të përpunuara, Vetëvendosje ka marrë 47.13% të votave dhe ka siguruar 53 mandate, PDK 19.44% me 22 mandate, LDK 16.69% me 18 mandate dhe AAK 6.74% me 7 mandate.
