Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po e fiton luftën në Ukrainë, ndërsa ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për “pasoja serioze” nëse përdoren asetet e ngrira ruse për të financuar Kievin. Deklaratat u bënë gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp, të mbajtur në një studio televizive ku shfaqej harta e Rusisë, Krimesë dhe territoreve të Ukrainës lindore.
Në fjalimin e tij maratonë, të ndjekur gjerësisht nga mediat ndërkombëtare, Putin përsëriti narrativën zyrtare të Kremlinit se “ishte Kievi ai që e nisi luftën në vitin 2022”, duke shtuar se tani “armiku po tërhiqet në të gjitha drejtimet”. Sipas tij, epërsia strategjike i takon Moskës, veçanërisht pas asaj që ai e quajti “çlirimi i plotë i rajonit të Kurskut”.
“Deri në fund të vitit, populli do të jetë dëshmitar i sukseseve të mëtejshme të ushtrisë ruse”, u shpreh Putin, duke insistuar se Rusia synon një “zgjidhje paqësore” të konfliktit, por pa lëshuar pe në çështjen e territoreve.
Sulm i drejtpërdrejtë ndaj BE-së
Putin sulmoi ashpër liderët e Bashkimit Evropian, duke i quajtur ata “hajdutë” dhe duke e cilësuar çdo përpjekje për të përdorur asetet e ngrira ruse si një “vjedhje të hapur”.
“Pasojat do të jenë serioze për këta hajdutë”, paralajmëroi ai, duke reaguar ndaj diskutimeve në BE për përdorimin e fondeve ruse për mbështetjen ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës.
Paqe vetëm me kushtet e Moskës
I pyetur nëse viti 2026 mund të sjellë paqe, Putin theksoi se një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse, sipas tij, “hiqen shkaqet kryesore që çuan në konflikt”. Ai fajësoi sërish NATO-n për “premtime të rreme” dhe tha se zgjerimi i aleancës euroatlantike “ka qenë dhe mbetet” një kërcënim për Rusinë.
Putin hodhi përgjegjësinë për vonesat në bisedimet e paqes mbi Ukrainën dhe “sponsorët e saj perëndimorë”.
“Topi është plotësisht në fushën e kundërshtarëve tanë perëndimorë, veçanërisht te regjimi i Kievit dhe sponsorët e tij evropianë. Ne jemi gati për negociata dhe për zgjidhje paqësore”, tha ai, duke përmendur refuzimin e Kievit për të diskutuar çështjen e territoreve.
BE-ja miraton kredi 90 miliardë euro për Ukrainën
Një ditë para deklaratave të Putinit, Bashkimi Evropian njoftoi miratimin e një kredie pa interes prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, për një periudhë dyvjeçare. Vendimi erdhi pasi BE-ja dështoi të arrijë konsensus për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, për shkak të shqetësimeve ligjore të disa shteteve anëtare.
Në vend të kësaj, u ra dakord për një kredi të bazuar në huamarrje në tregjet e kapitalit, e mbështetur nga ajo që quhet “rezerva buxhetore e BE-së”, një term që nënkupton kapacitetin shtesë të huamarrjes së bllokut.
Financimi i Ukrainës është kthyer në një çështje kyçe për BE-në me 27 anëtarë, veçanërisht në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar mbështetjen financiare, ndërsa vende si Hungaria po shtyjnë për uljen e ndihmës.
Zelensky: Forma e financimit ka më pak rëndësi
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili mori pjesë në samitin e BE-së, tha se Kievi do të kishte preferuar një kredi të mbështetur nga asetet e ngrira ruse, por theksoi se më e rëndësishme është sigurimi i fondeve në kohë.
“Nëse në pranverë Ukraina nuk merr financimin përkatës, prodhimi i dronëve do të ulet ndjeshëm”, paralajmëroi Zelensky, duke sqaruar se fondet do të përdoren për rindërtim në rast paqeje ose për nevoja ushtarake nëse lufta vazhdon.
Zhvillime në terren
Në ditën e 1394-të të luftës, Ukraina raportoi se dronët e saj kanë goditur për herë të parë një anije çisternë të flotës ruse në Mesdhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme – një zhvillim që sinjalizon zgjerimin e mëtejshëm të fushëbetejës përtej territorit ukrainas.
Ndërsa retorika politike ashpërsohet dhe financimi ndërkombëtar mbetet vendimtar, lufta në Ukrainë hyn në një fazë edhe më të ndërlikuar, me pak shenja konkrete për një paqe të afërt.

