Kremlini shpalosi tapetin diplomatik në New Delhi, ku presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri indian Narendra Modi nisën një raund të ri bisedimesh strategjike. Vizita—e para e Putinit në Indi pas katër vitesh—vjen në një moment kur Rusia përpiqet të thellojë aleancën ekonomike me një nga partnerët e saj më besnikë, ndërsa India lundron mes presioneve të Uashingtonit dhe interesave të veta energjetike.
Modi e hapi takimin me një mesazh të qartë: India nuk është neutrale dhe qëndrimi i saj është për paqe. Ai theksoi se vendi i tij mbështet çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes dialogut diplomatik.
Putin e falënderoi homologun e tij për përfshirjen në proceset që synojnë zgjidhjen e konfliktit dhe konfirmoi se Rusia po zhvillon diskutime të detajuara, edhe me Shtetet e Bashkuara, për opsione të mundshme të paqes.
Tregtia, energjia dhe armët – boshti kryesor i vizitës
Rusia ka qenë për dekada furnizuesi kryesor i armëve për Indinë dhe mbetet një lojtar kyç në sektorin e energjisë. Sanksionet perëndimore kanë detyruar Moskën të kërkojë thellimin e partneriteteve të vjetra, ndërsa New Delhi—në një pozicion delikat mes Rusisë dhe SHBA-së—po përpiqet të manovrojë me kujdes.
Kremlini shpreson të rrisë tregtinë dypalëshe në 100 miliardë dollarë deri në vitin 2030, me më shumë importe nga India për të balancuar shkëmbimin ekonomik që aktualisht anon në favor të Rusisë.
Ndërkohë kompanitë indiane pritet të nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme, përfshirë një projekt të përbashkët me gjigantin rus Uralchem për një fabrikë ureje, ndërsa banka ruse si Gazprombank dhe Alfa Bank kërkojnë licenca për të operuar në tregun indian.
Pritje me 21 topa dhe një paralajmërim për SHBA-në
Putini u prit me protokoll të lartë shtetëror, përfshirë një përshëndetje me 21 topa dhe një darkë private me Modin. Por vizita mori një ton sfidues ndaj Uashingtonit, pasi Putin publikisht vuri në pikëpyetje logjikën e presionit amerikan mbi Indinë për blerjet e saj të energjisë ruse.
“Nëse SHBA mund të blejë karburant bërthamor rus, pse India nuk duhet ta ketë të njëjtin të drejtim?”, deklaroi Putin në një intervistë për India Today, duke sinjalizuar se është i gatshëm ta diskutojë çështjen edhe me Donald Trump-in.
India në mes të dy zjarreve
Ndërsa Rusia kërkon të ruajë pozicionin e saj si aleati kryesor strategjik i Indisë, SHBA po shtyn fort për reduktimin e varësisë së Indisë nga Moska—veçanërisht në sektorin e energjisë dhe atë ushtarak.
“India përballet me një dilemë të vështirë,” shkruan analisti Michael Kugelman. “Duke forcuar lidhjet me njerën palë, rrezikon të acarohet me tjetrën.”
Ukraina në fokus – por pa kompromis të afërt
Putini mbërriti në Indi menjëherë pasi bisedimet me të dërguarit e Trump në Moskë nuk prodhuan kompromis për Ukrainën. Edhe pse Kremlini pretendon përparim me “disa partnerë”, Moska dhe Uashingtoni mbeten larg marrëveshjes përfundimtare.
India, që ka ruajtur bashkëpunimin me Rusinë edhe pas nisjes së luftës, vazhdon të insiston në dialog dhe diplomaci, duke shmangur dënimet direkte ndaj Kremlinit.
Në fund të vizitës priten marrëveshje të shumta — nga bashkëpunimi industrial, tek ai ushtarak dhe energjetik — që synojnë të forcojnë më tej një partneritet të vjetër, i cili tashmë po vihet në provë nga dinamika e re globale.
Në New Delhi, të dy liderët dhanë sinjalin se, pavarësisht presioneve, Indi–Rusi mbetet një bosht strategjik që të dyja palët nuk kanë ndërmend ta dobësojnë.

