Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të ndalë luftën në Ukrainë përveçse kur Perëndimi të pranojë të negociojë sipas kushteve të tij për paqe, raportoi agjencia Reuters, duke cituar tre burime të afërta me Kremlinin. Sipas këtyre burimeve, përderisa forcat ruse vazhdojnë të avancojnë në terren, edhe kërkesat territoriale të Rusisë mund të zgjerojnë më tej.
Putin, i cili urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, është i bindur se ekonomia dhe ushtria ruse janë të përgatitura për të përballuar çdo masë shtesë ndëshkuese nga Perëndimi – përfshirë tarifat doganore dhe sanksionet e reja që paralajmërohen nga Shtetet e Bashkuara.
Trump i zhgënjyer, kërcënon me sanksione të reja
Në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj qëndrimit të Kremlinit, Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh të hënën i zhgënjyer nga refuzimi i Putinit për një armëpushim. Ai bëri të ditur një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, që përfshin edhe sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore Patriot.
Gjithashtu, Trump paralajmëroi se do të vendosë tarifa doganore 100% ndaj Rusisë, nëse brenda 50 ditëve nuk arrihet një marrëveshje paqeje. Në të njëjtën kohë, Kongresi amerikan po shqyrton një projektligj për sanksione dytësore deri në 500% ndaj entiteteve që bashkëpunojnë me Moskën.
Kremlini: “Asnjë palë nuk ka negociuar seriozisht”
Sipas burimeve ruse të cituara nga Reuters, Putin nuk e sheh të sinqertë angazhimin e Perëndimit për paqe, dhe beson se as SHBA, as ndonjë tjetër aktor perëndimor nuk ka hyrë në bisedime serioze.
“Putini beson se askush nuk ka ofruar realisht një plan të drejtë për paqen. Prandaj, ai do të vazhdojë luftën derisa të marrë atë që kërkon”, tha një nga burimet.
Edhe pse ka pasur disa kontakte – përfshirë biseda telefonike mes Trump dhe Putin si dhe vizita të të dërguarit të posaçëm amerikan Steve Whitkov në Moskë – Kremlini nuk i konsideron këto si negociata të mirëfillta.
Çfarë kërkon Putin për paqe?
Sipas raportit të Reuters, kërkesat kryesore të Putinit për një marrëveshje paqeje janë:
-
Garanci ligjore që NATO nuk do të zgjerohet më në lindje;
-
Neutralitet ushtarak i Ukrainës dhe kufizim të forcave të saj të armatosura;
-
Mbrojtje të garantuar për popullsinë rusishtfolëse në territoret ukrainase;
-
Njohje ndërkombëtare e fitimeve territoriale të Rusisë, përfshirë rajone të pushtuara pas vitit 2022.
Putin gjithashtu thuhet të jetë i hapur për diskutime mbi garanci sigurie për Ukrainën, por me pjesëmarrjen e fuqive të mëdha botërore, edhe pse mbetet e paqartë si do të funksiononte një marrëveshje e tillë në praktikë.
Zelensky i prerë: “Asnjë kompromis për territorin dhe NATO-n”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk do të njohë kurrë sovranitetin rus mbi territoret e pushtuara, dhe ka theksuar të drejtën e saj për të vendosur vetë mbi anëtarësimin në NATO. Deri tani, zyra e tij nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj raportit të Reuters.
Ndërkohë, situata në vijën e frontit mbetet e tensionuar, ndërsa bota pret me vëmendje zhvillimet e ardhshme dhe përpjekjet për një zgjidhje paqësore në një konflikt që ka hyrë në vitin e katërt.