Dy javë pas samitit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska, presidenti amerikan ka pranuar se një takim dypalësh midis Rusisë dhe Ukrainës duket i pamundur, duke lënë të hapur mundësinë e tërheqjes së tij nga roli i ndërmjetësit.
Në një intervistë për gazetën konservatore Daily Caller, Trump tha se marrëdhënia e tij me Putinin ka qenë “shumë e mirë për vite” dhe se kishte shpresuar që negociatat të ndodhnin, por për momentin situata duket e vështirë.
“Do ta kisha dashur një marrëveshje, por ndonjëherë duhet të lejojnë që të vazhdojnë pak konfliktet e tyre,” tha ai.
Gjatë javës së kaluar, Trump ka minimizuar rolin e tij në ndërmjetësimin për paqen, duke shfaqur irritim ndaj pritshmërive të Europës dhe insistuar se një takim i suksesshëm kërkon gatishmërinë e të dyja palëve.
Sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës, ku mbetën të vrarë 25 persona, përfshirë 4 fëmijë, dhe u goditën selitë e delegacioneve evropiane, e kanë bërë situatën edhe më të ndërlikuar. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Trump “nuk është i lumtur, por as i befasuar” dhe po ndjek zhvillimet me kujdes.
Trump nuk përjashton ende mundësinë e një takimi trepalësh me Putinin dhe Zelenskyn, por shtoi se negociatat varen nga gatishmëria e palëve për kompromis. Ai gjithashtu ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të rënda ndaj Rusisë, nëse Moska refuzon armëpushimin.
Sipas mediave CNN dhe Axios, disa këshilltarë të presidentit fajësojnë liderët evropianë për dështimin e negociatave, duke i akuzuar se po inkurajojnë Kievin të ushqejë pritshmëri jorealiste. Një zyrtar amerikan tha se vendet si Britania dhe Franca janë konstruktive, por disa vende evropiane kërkojnë që SHBA të marrë mbi vete të gjithë kostot e luftës.
Faksioni nacionalist-populist “MAGA” ka argumentuar se SHBA nuk duhet të përfshihet më tej, ndërsa Trump ka theksuar se është i gatshëm të ndihmojë Evropën me mbështetje ajrore për Ukrainën.
“Nuk është lufta jonë,” tha presidenti, “por nuk na kushton asgjë,” duke lavdëruar NATO-n për financimin e armëve amerikane të dërguara në Kiev.
Situata mbetet e paqartë dhe tërheqja e mundshme e Trump nga ndërmjetësimi mund të ndikojë në rrjedhën e negociatave ndërkombëtare për paqen në Ukrainë.