Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është dënuar me 6 mijë euro gjobë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi është konstatuar se disa kandidatë të saj për deputetë kanë shfrytëzuar institucionet publike për promovim elektoral gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Vendimi i PZAP-së është marrë pas një ankese të parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas vendimit, PZAP ka konstatuar se Arbërie Nagavci, Hysen Durmishi, Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe Hajrulla Çeku kanë shkelur rregullat zgjedhore duke përdorur hapësira dhe pasuri publike për fushatë.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se:
-
Arbërie Nagavci ka përdorur zyrën e saj si ministre në detyrë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë;
-
Hysen Durmishi ka shfrytëzuar pasuri publike, konkretisht urën në Mitrovicë;
-
Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe Hajrulla Çeku kanë përdorur Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërsa në faqen zyrtare të subjektit janë promovuar edhe aktivitete në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
PZAP vlerëson se me këto veprime është shkelur Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, duke cenuar parimin e ndarjes së shtetit nga fushata zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje ka afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit për ta paguar gjobën. Ndërkohë, partia ka të drejtë ankese brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.

