Qeveria ka përgatitur paketën ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, e cila pritet të dërgohet në Kuvend brenda muajit tetor. Masat u prezantuan sot nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një konferencë për mediat, duke theksuar krijimin e një liste të zezë për ndërtuesit që ndërtojnë pa leje.
Lista e zezë dhe ndëshkimet për ndërtuesit
Sipas paketës së hartuar nga grupi i punës, ndërtuesit ose subjektet që përfshihen në këtë listë përjashtohen për 5 vjet nga marrja e lejeve të reja. Rama paralajmëroi se ndëshkimi mund të jetë më i ashpër.
“Në një ndërtim ku projekti i miratuar deformohet duke u kthyer në abuziv, përgjegjës kryesor është ndërtuesi. Ata që do të kapen në këtë faj do të hyjnë në listën e zezë dhe nuk do të mund të marrin më asnjë leje për një numër vitesh, më të madh se sa propozoi grupi i punës”, deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi masa të forta edhe për ata që shesin një apartament dy herë, duke parashikuar konfiskim të menjëhershëm të objektit.
“S’do ta administrojë më ai që e ka ndërtuar, por do e administrojë shteti dhe do ua vërë në dispozicion atyre që kanë paguar për ta blerë”, tha Rama.
Përgjegjësia shtrihet edhe tek arkitektët
Përveç ndërtuesve, përgjegjësi do të kenë edhe arkitektët që pranojnë deformime të projekteve pa raportuar tek autoritetet përkatëse. Rama paralajmëroi se mosnjoftimi do të konsiderohet vepër penale, me humbjen e licencës dhe pasojat ligjore të mundshme.
Gjithashtu, asnjë objekt nuk do të lidhë ujin dhe dritat pa marrë certifikatën e përdorimit, duke garantuar kontroll të plotë mbi ndërtimet legale.
Aksioni nuk do të ndalet
Rama sqaroi se aksioni për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje do të vijojë gjatë gjithë mandatit.
“Nuk do të jetë një makth i përkohshëm; ky aksion do të vijojë pa u ndalur, sepse nuk mund të ketë Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje”, tha kryeministri.
Masa për punimet pa leje
Sipas paketës:
-
Për punime pa leje ose tejkalim të lejes mbi 2% të sipërfaqes totale, konfiskohen punimet për qëllime fitimi ose një sipërfaqe ekuivalente brenda objektit.
-
Për punime pa leje mbi 10% të sipërfaqes totale, e gjithë ndërtesa mund të konfiskohet për interes publik ose strehim social, ose të prishët plotësisht nga organet përgjegjëse.
Dënime të ashpra për zjarrvënësit
Rama paralajmëroi se dënimet për zjarrvënësit do të jenë më të rënda se për ndërtuesit pa leje, duke e krahasuar zjarrvënien e qëllimshme me vrasjen.
“Ndërtimi e paligjshëm mund ta prishësh, por rigjenerimi i pyjeve kërkon vite. Zjarrvëniet duhet të trajtohen si vrasës”, tha kryeministri.