Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është lansuar sot skema e re e granteve për ndërmarrjet prodhuese, e cila përkrahet nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Agjencisë së Zhvillimit LuxDev, në vlerë totale prej 1 milion euro.
Nga kjo skemë do të mund të përfitojnë ndërmarrjet prodhuese mikro, të vogla, të mesme dhe ato të mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike.
Në ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, si dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë Eric Dietz.
“Kjo përkrahje për ndërmarrjet është vazhdimësi e katër viteve të punës sonë për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë,” tha Kurti, duke theksuar se skema reflekton dy prioritete qeveritare: mbështetjen e sektorit privat dhe rritjen e efiçiencës së energjisë.
Përmes kësaj skeme, ndërmarrjet mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro për:
-
sisteme solare për prodhimin e energjisë elektrike ose ngrohjen e ujit,
-
bateri për ruajtjen e energjisë,
-
izolim të ndërtesave,
-
dyer e dritare efiçiente,
-
si dhe pajisje të tjera që rrisin efiçiencën e prodhimit.
Ministrja Rizvanolli theksoi se iniciativa lidhet drejtpërdrejt me dy shtyllat e strategjisë për energji: efiçiencën dhe gjenerimin e energjisë së pastër.
Ndërkohë, ministrja Hajdari bëri të ditur se përparësi në këtë skemë do të kenë ndërmarrjet më të prekura nga tregu i hapur i energjisë elektrike, me projekte që synojnë përdorimin e burimeve të rinovueshme.
Nga ana tjetër, ambasadori Dietz tha se ky program është një hap i rëndësishëm në zotimin afatgjatë të Luksemburgut për fuqizimin e sektorit privat në Kosovë dhe përkrahjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme.