Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku është miratuar Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026. Buxheti i ri, me një vlerë rekord prej 4 miliardë eurosh, pritet të sjellë një valë të re rritjesh në paga, pensione dhe mbështetje sociale.
“Buxheti më i madh ndonjëherë”
Në hapje të mbledhjes, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se buxheti për vitin e ardhshëm është dëshmi e stabilitetit ekonomik dhe angazhimit për rritje të mirëqenies së qytetarëve.
“Sot po miratojmë Projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin fiskal 2026. Kam kënaqësinë të njoftoj se është buxhet me vlerë prej 4 miliardë eurosh, më i madhi deri më sot,” deklaroi Kurti.
Rroga e 13-të dhe rritja e pagës minimale
Kurti premtoi se të gjithë punonjësit e sektorit publik do të marrin rrogën e 13-të, si shpërblim vjetor për punën e tyre.
Ndërkohë, paga minimale për sektorin privat do të rritet në 425 euro nga janari 2026 dhe do të arrijë në 500 euro nga korriku 2026.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo është rritja më e madhe historike e pagës minimale në vend.
“Kur morëm mandatin, paga minimale ishte vetëm 130 deri në 170 euro. Pas analizave dhe konsultimeve me sindikatat dhe bizneset, propozojmë rritjen në 500 euro në dy faza,” shpjegoi Murati.
Rritje për pensionet dhe shtesat për fëmijët
Në të njëjtën mbledhje, Kurti njoftoi edhe për rritjen e pensioneve bazë nga 120 në 150 euro, duke theksuar se pagesat e reja do të nisin që nga 1 nëntori 2025.
“Kjo rritje prek rreth 200 mijë pensionistë – përfshirë ata me aftësi të kufizuara, pensionet familjare dhe ato invalidore të punës,” tha Kurti.
Gjithashtu, shtesat për fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç do të rriten për 50%, duke bërë që një prind që deri tani merrte 40 euro, të marrë 60 euro nga muaji nëntor.
Fokus tek mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik
Sipas Kurtit, buxheti i ri është konceptuar për të forcuar shtresën e mesme dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm në sektorët kyç – arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe bujqësi.
“Ky është një buxhet që i shërben njerëzve, i orientuar në punësim, siguri sociale dhe rritje ekonomike të qëndrueshme,” theksoi ai

