Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka më se shumti kandidatë për deputetë që kanë probleme me ligjin. Nga 25 kandidatë që janë certifikua prej KQZ-së dhe që janë të përfshirë në raste penale 13 janë nga partia e Albin Kurtit.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po prin nga numri më i madh i personave që synojnë ulëse në Kuvend, por që njëkohësisht kanë “probleme” me drejtësinë. Nga një total prej 25 emrash të certifikuar nga KQZ-ja që figurojnë në dosjet e gjykatave për raste të ndryshme penale, më shumë se gjysma, plot 13 sosh, mbajnë logon e partisë së Albin Kurtit.
Këto statistika ”alarmante” janë bërë publike përmes raportit të fundit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të titulluar “Integriteti i listave zgjedhore – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 7 qershor 2026”
Sipas gjetjeve të këtij instituti, të cilat bazohen në vëzhgimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore, afërisht 2% e krejt listës me të cilën LVV garon në këto zgjedhje përbëhet nga individë që ndiqen penalisht ose janë të dënuar.
Gatishmërinë e partive për të futur në listat e tyre njerëz me probleme ligjore e ka zbërthyer në detaje hulumtuesi i IKD-së, Gëzim Shala. Gjatë një konference për medie, ai shpërndau shifrat specifike për secilin subjekt politik.
“Sipas subjekteve politike, bazuar në të dhënat e monitorimit, rezulton se, në raport me tërësinë e 902 kandidatëve të certifikuar për deputetë, LVV ka numrin dhe peshën më të madhe të kandidatëve të përfshirë në raste penale, me 13 kandidatë, apo 1.44% të numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Pas saj renditen AAK dhe LS me nga tre (3) kandidatë, apo me nga 0.33% të totalit të kandidatëve. KDTP ka dy (2) kandidatë të përfshirë në raste penale, që përbëjnë 0.22% të totalit, ndërsa PSD, PDK, SDU dhe IRDK kanë nga një (1) kandidat, apo nga 0.11% të numrit të përgjithshëm prej 902 kandidatëve”, deklaroi Shala.
Sa i përket natyrës së veprave, raporti evidenton se dominojnë rastet që lidhen me korrupsionin në detyrë zyrtare, ndërsa një pjesë e konsiderueshme lidhet edhe me përdorimin e armëve.
“Sa i përket kapitujve të veprave penale për të cilat ose janë dënuar ose akuzohen kandidatët në fjalë, sipas kapitujve dominojnë veprat penale të korrupsionit zyrtar, ndërkaq sipas veprave penale, vepra më e shpeshtë është vepra e përdorimit të armës”, është shprehur Shala.

