Kryesuesi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditura detajet më të fundit nga procesi zgjedhor i 28 dhjetorit, gjatë një konference për media.
Radoniqi foli për problemet me furnizimin me energji elektrike në disa komuna të vendit, duke sqaruar se janë ndërmarrë hapa të menjëhershëm për tejkalimin e këtij telashi, raporton Klan Kosova.
“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës, si dhe nga një qendër votimi në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në rikthimin e energjisë elektrike dhe, sipas informacioneve tona, kjo ka ndodhur për një kohë shumë të shkurtër”, tha Radoniqi.
Ai theksoi se ndërprerjet nuk kanë qenë të gjata, pasi ekipet kompetente kanë reaguar me shpejtësi për normalizimin e situatës.
Po ashtu, Radoniqi bëri të ditur edhe të dhënat preliminare për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 96 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës deri në orën 15:00 është 572 mijë e 726 votues, apo 28.65 për qind nga gjithsej 1 milion 999 mijë e 204 votues”, deklaroi ai.
Procesi zgjedhor, sipas KQZ-së, po vazhdon dhe situata në terren është nën monitorim të vazhdueshëm.
