Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën online “Hapësira ime publike”, e cila u jep qytetarëve mundësinë të denoncojnë raste të zaptimit apo shfrytëzimit të paligjshëm të hapësirave publike.
Portali, i paralajmëruar nga Rama disa ditë më parë, është pjesë e aksionit kombëtar për çlirimin e pronave që i përkasin komunitetit. Kryeministri e përshkroi këtë iniciativë si një “dritare të re komunikimi” mes qytetarëve dhe institucioneve, në funksion të mbrojtjes së hapësirës publike.
“Mirëmëngjes dhe me këtë dritare të re komunikimi për të bashkuar forcat në mbrojtje të hapësirës publike, ju uroj fundjavë të qetë”, – shkroi Rama në rrjete sociale.
Çfarë mund të denoncohet?
Përmes portalit, qytetarët mund të raportojnë:
-
Zënien e trotuareve;
-
Ndërtimet pa leje ose me shkelje të lejes;
-
Zaptimin dhe ndotjen e hapësirave përgjatë rrugëve kombëtare;
-
Parkingjet private të paligjshme;
-
Shkelje të tjera që dëmtojnë pronën publike.
Nëse institucionet përkatëse nuk reagojnë brenda 24 orëve, përdoruesit kanë mundësi të plotësojnë një formular ankese. Sipas të dhënave të para, deri tani janë raportuar 11 raste përmes portalit.
Nisma, sipas qeverisë, synon jo vetëm të identifikojë shkeljet, por edhe të garantojë ndëshkime të ashpra ndaj zaptuesve të hapësirave publike, duke u mbështetur te bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.