Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka aktivizuar, siç e quajti ai, “makinerinë propaganduese” kundër tij pikërisht në ditën kur Lidhja Demokratike e Kosovës mban Kuvendin e jashtëzakonshëm.
“Krejt makineria propaganduese e Vetëvendosjes qenka çu n’aksion kundër meje, sot në ditën e Kuvendit të LDK-së! Interesant!”, ka shkruar Rama në Facebook.
Reagimi i tij erdhi pasi Vetëvendosje dorëzoi në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj Ramës dhe disa zyrtarëve të kabinetit të tij, duke pretenduar se janë përfshirë në legalizime të jashtëligjshme të objekteve.
Sipas VV-së, kallëzimi bazohet në një sinjalizim anonim të pranuar përmes postës elektronike nga një grup asamblistësh disa ditë më parë.
Ndërkohë, LDK-ja po zhvillon Kuvendin e jashtëzakonshëm të thirrur pas kërkesës së një pjese të delegatëve, të cilët kanë iniciuar procedurën për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përparim Rama, i cili ka fituar dy mandate si kryetar i Prishtinës nën siglën e LDK-së, është përmendur në javët e fundit nga figura të ndryshme politike si një prej emrave që mund të synojë drejtimin e partisë në rast të ndryshimeve në lidership.

