Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, ndërsa përgatitjet për organizimin e këtij eventi të madh sportiv tashmë kanë hyrë në një fazë të rëndësishme.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nga Taranto e Italisë, ku do të zhvillohen Lojërat Mesdhetare të vitit 2026, ka folur për përgatitjet për edicionin që do të mbahet në Prishtinë pas katër vitesh.
Rama, i cili ka udhëtuar në Itali së bashku me sportistët e Kosovës, ka dhënë detaje për punën që po bëhet për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
“Nesër kemi prezantimet për Lojërat Mesdhetare para ICMG-së – Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Do t’i prezantojmë të arriturat e deritanishme në përgatitjet për Prishtina 2030”, ka deklaruar Rama në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Ai e ka cilësuar organizimin e Lojërave Mesdhetare si një arritje të madhe për Prishtinën dhe Kosovën.
“E dimë të gjithë që kjo është një arritje e madhe e Prishtinës, që ka arritur të jetë nikoqire në vitin 2030 për Lojërat Mesdhetare”, ka thënë ai.
Lojërat e vitit 2030 do të organizohen në bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë, me Prishtinën dhe Durrësin si qytetet kryesore pritëse.
Rama ka bërë të ditur se përgatitjet po vazhdojnë sipas planit dhe se procesi është duke avancuar.
“Prishtina 2030 tashmë është duke u përgatitur, çdo gjë po shkon mirë”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 pritet të jenë një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të organizuara ndonjëherë në Kosovë.

