Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së disa gjyqtarëve për rritje të ndjeshme të pagave, duke e cilësuar këtë nismë si një përpjekje për t’u imponuar mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.
Në një video-live në Facebook, Rama tha se gjyqtarët sot “janë bërë vetë zot dhe vetë shkop”, ndërsa shtoi se kërkesa për rritje pagash deri në 3 mijë euro është absurde dhe e papranueshme.
“Pagat e gjyqtarëve janë sa në Greqi, më të larta se në rajon”
Sipas kryeministrit, pagat aktuale të gjyqtarëve në Shqipëri janë të krahasueshme me ato të Greqisë, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe dukshëm më të larta sesa në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Gjykata Kushtetuese publikoi regjistrimin e seancës ku dy shoqata gjyqtarësh – edhe ato me probleme ligjore – kërkuan rritje pagash. Kur e dëgjon atë seancë, ndihesh keq duke menduar se këta janë njerëzit që japin drejtësi”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se me reformën në drejtësi, gjyqtarëve u është garantuar jo vetëm pavarësia në vendimmarrje, por edhe paga të larta, mbi mesataren e administratës publike.
Rritje nga 1,800 deri në 3,000 euro
Rama sqaroi se kërkesat përfshijnë:
-
1,800 euro rritje për gjyqtarët e shkallës së parë
-
2,000 euro rritje për gjyqtarët e Apelit
-
rreth 3,000 euro rritje për gjyqtarët e SPAK dhe BKH
Megjithatë, kryeministri theksoi se SPAK-u nuk është bashkuar me këtë iniciativë, duke e cilësuar këtë si një qëndrim për t’u respektuar.
“Këta duan që Shqipëria të mbetet i vetmi vend ku gjyqtarët marrin paga më të larta se Presidenti. Kjo është përpjekje për t’u imponuar mbi Parlamentin dhe Qeverinë”, u shpreh Rama.
Mesazh për Gjykatën Kushtetuese
Në fund, Rama i bëri thirrje Gjykata Kushtetuese që të mos e pranojë këtë kërkesë, duke paralajmëruar për pasoja serioze në besimin publik.
“Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të mos ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ‘ilaçe të tjera’”, përfundoi ai.

