Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një reforme kushtetuese brenda këtij mandati qeverisës, duke propozuar uljen e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë nga 140 në rreth 100. Deklarata u bë pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku kryeministri kërkoi ngritjen e një grupi pune për të materializuar ndryshimet kushtetuese.
Sipas Ramës, Shqipëria mund të funksionojë më efikas me një parlament më të vogël, ndërsa theksoi se ambicia e mazhorancës është që deri në fund të mandatit të realizohet një reformë e thellë kushtetuese, përtej reformës zgjedhore.
“Shqipëria mund ta ketë fare mirë një Kuvend me 100 deputetë. Nuk bëhet fjalë vetëm për reformë zgjedhore, por për një reformë kushtetuese që kërkon kohë, angazhim dhe burime,” u shpreh Rama.
Ndryshim i rregullores dhe paralajmërim për opozitën
Kryeministri u ndal edhe te përplasjet e vazhdueshme në Kuvend me opozitën, duke deklaruar se nuk do të tolerohet më ajo që e cilësoi si “rrugaçëri parlamentare”. Ai kërkoi ndryshime të menjëhershme në rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që procedurat të mos përdoren për bllokim dhe pengmarrje të punës parlamentare.
“Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëfajësi. Në asnjë parlament demokratik të BE-së nuk tolerohet një sjellje e tillë. Rregullorja nuk është e shkruar në gurë dhe duhet ndryshuar,” tha Rama.
Ai shtoi se mazhoranca është e gatshme të ecë përpara me reformat edhe pa opozitën, nëse kjo e fundit refuzon pjesëmarrjen.
“Me ata, shumë mirë. Pa ata, po ashtu shumë mirë. Rëndësi ka të bëhet puna,” deklaroi ai.
Afate për reformën zgjedhore dhe territoriale
Nga ana tjetër, Taulant Balla ritheksoi se mazhoranca mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën, duke përcaktuar edhe afatet për reformat kryesore. Sipas Ballës, reforma zgjedhore duhet të përfundojë deri në fund të korrikut, ndërsa zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen me një ndarje të re administrativo-territoriale.
Ai bëri të ditur se dy ndërhyrjet kryesore të socialistëve në reformën zgjedhore janë depolitizimi i administratës zgjedhore dhe numërimi i votave në qendra të posaçme, e jo më në KZAZ.
Paralajmërim për reformë në diplomaci
Gjatë diskutimeve, Rama u ndal edhe te shërbimi diplomatik, të cilin e cilësoi si një nga dështimet më të mëdha të qeverisjes shumëvjeçare, duke paralajmëruar një ligj të ri për funksionimin e Ministrisë së Jashtme.
Mazhoranca socialiste synon që në këtë legjislaturë të shtyjë përpara një paketë reformash të thella, të cilat, sipas Ramës, do të riformatojnë funksionimin e institucioneve dhe jetën parlamentare në vend.

