Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit, duke i cilësuar ato si “pushtim kriminal të zemrës së Alpeve shqiptare” dhe ka theksuar se Policia e Shtetit ka nisur hetimet për të zbuluar përgjegjësit.
“Po hetohet kush është mbrapa këtij pushtimi kriminal. Nuk bëhet fjalë për banorë të zakonshëm, por për individë që kërkojnë përfitim duke shkelur ligjin”, deklaroi Rama. Ai vuri në dukje se shumë ndërtime në këtë zonë janë bërë pa leje dhe për qëllime fitimi, duke mohuar se bëhet fjalë për ndihmë ndaj banorëve.
Rama kritikoi publikisht edhe Prokuroren e Shkodrës, zonjën Gjeli, duke kërkuar përgjegjësi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). “Strukturat shtetërore e kanë marrë përgjegjësinë e tyre, mbetet për t’u parë çfarë përgjegjësie do të marrë KLP për zonjën Gjeli”, u shpreh kryeministri.
Ai hodhi poshtë çdo pretendim se po i hapet rrugë oligarkëve për zhvillim turistik në zonat e mbrojtura, duke theksuar se janë goditur 40 subjekte vetëm në Theth dhe po merren masa të ngjashme edhe në bregdet. “Kemi konfiskuar ndërtime pa leje në Vlorë, ndërsa Tirana mbetet zona më e nxehtë për shkak të presionit të lartë urban,” tha ai, duke shtuar se nuk do të legalizohet më asnjë ndërtim që është në kundërshtim me ligjin dhe jashtë afateve të parashikuara.
Reforma strukturore për menaxhimin e shërbimeve publike
Kryeministri njoftoi nisjen e një reforme të gjerë në shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, menaxhimin e mbetjeve dhe shpërndarjen e naftës, me synimin për të rritur efikasitetin dhe transparencën në nivel kombëtar.
“Në vend që të kemi një sistem të fragmentuar, do të krijojmë një korporatë të re kombëtare të ujit, të ngjashme me operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Kjo do të përmirësojë menaxhimin, investimet dhe marrëdhëniet me donatorët ndërkombëtarë,” theksoi Rama.
Ai paralajmëroi gjithashtu një sistem të ri për furnizimin e tregut me naftë, ku shteti do të jetë palë kontraktuese dhe mbikëqyrëse, me qëllim kontrollin më të madh të çmimit dhe qarkullimit të këtij produkti jetik.
Siguria ushqimore në fokus – kontrolle të reja dhe konfiskime
Kryeministri konfirmoi fillimin e një procesi kontrolli të rreptë për produktet ushqimore pa faturë, sidomos qumështin, bulmetin dhe mishin e freskët, që po qarkullojnë pa standarde në tregje.
“Sot ka nisur konfiskimi i produkteve pa faturë. Nuk do të lejohet më që në këto temperatura të tregtohen bulmet apo mish pa siguri, pasi kjo rrezikon seriozisht shëndetin publik. Ky është vetëm fillimi i një faze të re të kontrollit të sigurisë ushqimore në vend”, theksoi Rama.
Mbështetje për qytetarët, jo për abuzuesit
Rama u bëri thirrje qytetarëve që kanë pronë në zonat malore apo bregdetare që të ndjekin rrugën ligjore për të marrë leje ndërtimi dhe jo të ndërtojnë në mënyrë të paligjshme. Ai garantoi se deputetët dhe strukturat vendore do të jenë pranë komuniteteve për të lehtësuar proceset ligjore, por jo për të toleruar shkelësit.
“Historia ‘ndërto tani që të legalizosh nesër’ nuk do të funksionojë më. Shteti do të qëndrojë i palëkundur në mbrojtjen e hapësirave publike dhe të së drejtës”, përfundoi Rama.