Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hoqi pezullimin e Belinda Ballukut dhe e riktheu përkohësisht në detyrë deri në shqyrtimin në themel të çështjes në janar.
Në podkastin e tij, Rama deklaroi se vendimi i Kushtetueses “eliminoi një precedent unik në botë”, duke akuzuar prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes se kishin marrë kompetenca që u takojnë vetëm institucioneve të zgjedhura.
“Një brutalitet alla shqiptarçe”
Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra për vendimin fillestar të pezullimit të Ballukut, duke thënë se ai përbënte “shkelje flagrante të kufijve të kompetencës së Kryeministrit, Presidentit dhe Parlamentit”.
Sipas tij, nisma fillestare kishte kthyer një proces ligjor në “gjyq partizan”.
“U zmbraps një brutalitet alla shqiptarçe që goditi organizmin demokratik të shtetit,” — u shpreh Rama.
Rama akuzon gjyqësorin për abuzim të pavarësisë
Kryeministri paralajmëroi se rasti i Ballukut nuk është i vetmi shqetësim. Ai sulmoi ashpër dy shoqatat e gjyqtarëve, të cilat kanë kërkuar në gjykatë rritje pagash, duke e quajtur këtë veprim “një tjetër absurd made in Albania”.
“Gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre, duke marrë kompetencat e qeverisë e parlamentit. Me çekiçin e drejtësisë nuk mund të hapet arka e shtetit kur t’u teket,” deklaroi Rama.
Ai nënvizoi se disa prej kërkesave për rritje pagash kapin shifra prej 1,600 eurosh në muaj për gjykatat e zakonshme dhe deri në 3,100 euro në muaj për SPAK dhe Gjykatën Speciale.
“Koha për reflektim ndërinstitucional”
Megjithëse kritik, Rama tha se nuk beson se drejtësia është “dalë nga shinat”, por paralajmëroi se reforma nuk mund të kthehet në problem më të madh se vetë sëmundja që synon të shërojë.
“Ka ardhur koha të ndajmë beben nga uji i pistë. Pavarësia e drejtësisë duhet mbrojtur, por papërgjegjshmëria nuk mund të justifikohet në emër të reformës,” theksoi ai.
Rama shtoi se veprimet e fundit rrezikojnë liritë, të drejtat dhe funksionimin normal të administratës dhe ekonomisë.

