Kryetari i Prishtinws, Përparim Rama e ka demantuar Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila tha se nuk ka koalicin LDK-PDK në Prishtinë.
Rama ka njoftuar se e ka emëruar Besiana Musmuratin e PDK-së si nënkryetare të Komunës.
“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës.
Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike. Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.”, ka shkruar Rama.
Rama e ka lavdëruar Musmuratin për bashkëpunimin në të kaluarën.
“Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.”, ka shkruar ai.

