Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nderuar sot kujtimin e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, në 36-vjetorin e rënies së tyre heroike në përballje me forcat pushtuese jugosllave dhe serbe.
Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se heroizmi i tyre është “lavdi e përjetshme”, duke theksuar se vepra e tyre mbetet frymëzim për të gjitha brezat që luftuan për lirinë e Kosovës.
“Heronjtë e kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u mbuluan me lavdi të përjetshme 36 vjet më parë, duke e mbrojtur me guxim të palëkundur idealin për lirinë e atdheut,” – shkruan Haradinaj.
“Me veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare.”
Ai shtoi se sakrifica e tyre “qëndron e përjetësuar në thelbin e lirisë dhe shtetit të Kosovës”.
Haradinaj e përmbylli reagimin e tij me fjalët:
“Lavdi e përjetshme Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe gjithë dëshmorëve të kombit!”

