Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, ka deklaruar se është i gatshëm të udhëheqë një qeveri kalimtare në Iran, pas zhvillimeve dramatike në vend dhe vdekjes së liderit suprem Ali Khamenei gjatë sulmeve të fundit.
Pahlavi, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara dhe prej vitesh është aktiv në opozitën iraniane, tha se ka mbështetjen e miliona qytetarëve brenda vendit dhe një plan të qartë për tranzicionin politik.
Në një intervistë për Fox News, ai deklaroi se shumë iranianë dhe pjesë të ushtrisë janë të gatshëm të mbështesin ndryshimin e regjimit dhe krijimin e një qeverie të re.
“Kam mbështetjen e miliona njerëzve iranianë. Ka njerëz brenda vendit që po bashkohen dhe po krijojnë një koalicion forcash për të ndërtuar të ardhmen e Iranit”, u shpreh Pahlavi.
Ai prezantoi gjithashtu një ide të re për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke përdorur sloganin “MIGA – Make Iran Great Again”, një referencë ndaj sloganit të përdorur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas tij, hapja e tregut iranian ndaj investimeve ndërkombëtare, veçanërisht atyre amerikane, mund të krijojë një ndikim ekonomik prej mbi 1 trilion dollarësh dhe të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë.
Pahlavi bëri të ditur se po bashkëpunon edhe me senatorin amerikan Lindsey Graham për të prezantuar planin e tij para një grupi dypartiak në Senatin amerikan.
Megjithatë, disa analistë janë skeptikë për ndikimin real të tij në Iran. Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Vali Nasr, tha se Pahlavi aktualisht nuk ka një bazë të fortë politike brenda vendit që do ta lejonte të luante një rol vendimtar në tranzicionin e pushtetit.
Zhvillimet në Iran po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa vendi përballet me një moment kritik për të ardhmen politike pas dekadash sundimi të regjimit islamik.
