Rita Ora në pulla postare të Kosovës

Posta e Kosovës ka njoftuar se këngëtarja jonë me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se pulla me imazhin e saj do të lëshohet në qarkullim postare të shtunën, më 26 nëntor, në një ditë të veçantë për artisten e madhe shqiptare dhe britanike, pikërisht në ditëlindjen e saj.

“Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo shfrytëzoi çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar. Ajo ishte frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare”, thuhet në njoftim.

Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

“Është një nder për Posten e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë “,  ka thënë kryeshefja Kadiu, thuhet në njoftimin e për medie.

Gjatë karrierës së saj të bujshme, Rita Ora u shpërblye dhe nderua me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri.Ajo e bart me meritë titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015. Me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuoj për imazhin e të gjithë shqiptarëve.

“Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar dhe promovuar për mbi njëzet vite personalitete të shquara të  kulturës sonë e këtë do ta bëj edhe në të ardhmen”, përfundon njoftimi për medie.

Next Post