Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se aktualisht tri njësi prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës janë në operim, ndërsa ekipet teknike po punojnë pa ndërprerje për rikthimin e njësive të tjera.
Gjatë vizitës në Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përkatësisht në Divizionin për Prodhimin e Qymyrit, TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B”, Rizvanolli njoftoi se aktualisht janë funksionale njësitë B1, A4 dhe A5, ndërsa njësitë B2 dhe A3 pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme.
Ajo theksoi se gjatë kësaj periudhe të ftohtë, kur kërkesa për energji është e lartë, pritjet nga KEK-u janë që sistemi të funksionojë me pesë blloqe, ndonëse kjo mbetet sfiduese. Sipas saj, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë rresht, nga 19 dhjetori e deri më sot – një arritje e rrallë, duke pasur parasysh se gjatë 25 viteve të fundit KEK-u ka punuar me pesë njësi vetëm 55 ditë gjithsej.
Rizvanolli shprehu mirënjohje për punëtorët dhe menaxhmentin e KEK-ut, duke i cilësuar ata si shtyllën e sistemit elektroenergjetik të vendit, dhe kërkoi angazhim e përgjegjësi maksimale për t’i mbajtur të gjitha njësitë në operim gjatë muajve të dimrit.
Ajo nënvizoi se furnizimi i rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit është parakusht kyç për funksionimin e pandërprerë të njësive prodhuese, duke kërkuar përkushtim nga i gjithë zinxhiri i prodhimit.
Në fund, ministrja u bëri thirrje edhe qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht në këtë periudhë me kërkesë të lartë, në mënyrë që të kontribuohet bashkërisht në sigurinë energjetike të vendit.
Mes temperaturave të ulëta dhe ngarkesës maksimale, sistemi mbahet në këmbë nga puna 24-orëshe. Dhe këtë dimër, çdo bllok ka peshë.

