Në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, Prokuroria e Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe staf mbështetës për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.
Prokurorët janë vendosur në të gjitha prokuroritë themelore në qytete, ndërsa në zonat ku nuk ka prokurori, ata operojnë nga stacionet policore, në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës. Qëllimi është të procedohen të gjitha parregullsitë që mund të ndodhin gjatë ditës së zgjedhjeve.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, po mbikëqyr punën e koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Prokuroria e Shtetit i bën thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të raportojnë çdo dyshim për keqpërdorim ose manipulim të votës tek prokuroritë përkatëse.