Autoriteti i Konkurrencës ka dalë me një njoftim zyrtar pas inspektimeve të kryera në disa furra buke në Prishtinë dhe Gjakovë, duke konfirmuar se shtrenjtimi i çmimit të bukës nuk ka qenë rastësor, por rezultat i marrëveshjeve dhe koordinimeve të ndaluara ndërmjet furrtarëve.
“Pas inspektimeve të zhvilluara, Autoriteti ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, që ndalon marrëveshjet e fshehta të tipit kartel. Bëhet fjalë për bashkërendim të çmimeve mes operatorëve ekonomikë në sektorin e bukës, gjë që përbën shkelje serioze të ligjit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ky institucion.
Autoriteti ka paralajmëruar se ka nisur procedurat për hetim formal të rasteve të dyshuara dhe është duke analizuar mundësinë e vendosjes së masave të përkohshme, të cilat mund të përfshijnë edhe mbylljen e operatorëve të përfshirë deri në gjashtë muaj, sipas dispozitave të parashikuara në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Hetimet do të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa Autoriteti ka kërkuar bashkëpunim të plotë nga palët e përfshira dhe paralajmëron se veprimet e tilla që dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe interesin e konsumatorëve do të trajtohen me seriozitet maksimal.