Rinia Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar sot paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesën e saj dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët, përmes një aksioni simbolik para Ministria e Ekonomisë.
Gjatë aksionit, të rinjtë e Rinia Demokratike e Kosovës vendosën para ministrisë një faturë gjigante simbolike, e cila sipas tyre pasqyron realitetin e hidhur të familjeve kosovare që po përballen me kosto të larta jetese dhe borxhe mujore.
Në emër të RDK-së, para mediave foli kryetari i Degës së Prishtinës, Trim Syla, i cili tha se rritja e çmimit të rrymës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.
“Sot s’kemi ardhë me pankarta, por me një faturë. Një familje me 1000 euro të ardhura mujore ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks, pa pushime, pa kursime. Çdo muaj fillon me borxhe dhe përfundon me frikë”, tha Syla.
Ai shtoi se bëhet fjalë për një familje të vogël ku dy prindërit janë të punësuar, ndërsa situata është edhe më e rëndë për familjet me vetëm një të punësuar.
“175 euro faturë mujore për rrymë. Rritja prej 21% nuk është reformë, është shtytje drejt varfërisë. Energjia nuk është luks, është nevojë bazike”, theksoi ai.
Sipas Sylës, rritja e çmimit të energjisë po shkakton zinxhir rritjesh të çmimeve të bukës, transportit dhe shpenzimeve të tjera, ndërsa pagat mbeten të njëjta.
Rinia Demokratike e Kosovës kërkon ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, më shumë transparencë në menaxhimin e sektorit energjetik dhe politika që mbrojnë qytetarët nga varfëria dhe borxhet.

