Pas përfundimit të punimeve në sheshin “Rexhep Luci”, në qendër të Prishtinës ka filluar transformimi i rrugës “Qamil Hoxha”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se projekti synon krijimin e hapësirave më moderne dhe funksionale për bizneset e zonës.
“Gastronomët dhe bizneset tona e mbajnë qytetin gjallë, me punë, energji dhe jetë në çdo lagje. Për ta, po krijojmë hapësira më funksionale dhe më të rregulluara. Rruga ‘Qamil Hoxha’ së shpejti merr pamje të re,” ka shkruar Rama.
Ai shtoi se investimet në infrastrukturë urbane do të vazhdojnë:
“Nuk ndalemi,” është mesazhi i kryetarit të Prishtinës.

