Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar para ministrave të jashtëm të G7 se konflikti me Iranin pritet të vazhdojë edhe për dy deri në katër javë të tjera, ndërsa Uashingtoni beson se objektivat mund të arrihen pa ndërhyrje tokësore.
Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, gjatë takimit në Francë, Rubio ka theksuar se SHBA është pranë nisjes së negociatave serioze me Teheranin, duke shprehur pritshmërinë që lufta të përfundojë “brenda javësh, jo muajsh”.
Ai nënvizoi se, pavarësisht intensitetit të konfliktit, një operacion tokësor nuk konsiderohet i domosdoshëm për arritjen e qëllimeve strategjike.
“Ne mund t’i arrijmë objektivat tona pa forca tokësore”, është shprehur ai, duke shtuar se administrata amerikane do të ruajë fleksibilitet maksimal për çdo zhvillim të paparashikuar.
Negociatat, ende pa kanal të qartë
Rubio ka bërë të ditur se komunikimet me Iranin vazhdojnë përmes ndërmjetësve dhe jo drejtpërdrejt, ndërsa mbetet e paqartë se kush ka vendimmarrjen përfundimtare në Teheran.
Sipas tij, disa zyrtarë iranianë janë të hapur për negociata, por procesi po pengohet nga mungesa e koordinimit dhe frika e zyrtarëve për sigurinë e tyre, gjë që ka ngadalësuar ndjeshëm komunikimin.
Sulme ndaj objekteve bërthamore
Në të njëjtën kohë, tensionet janë përshkallëzuar pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj një uzine të pasurimit të uraniumit në Iranin qendror.
Autoritetet iraniane konfirmuan se objekti në provincën Yazd është goditur, por theksuan se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve radioaktive.
Zhvillimet e fundit tregojnë një situatë të tensionuar, ku përplasja ushtarake po vazhdon paralelisht me përpjekjet diplomatike, duke e mbajtur rajonin në një ekuilibër të brishtë mes luftës dhe negociatave.

