Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të rishqyrtojnë marrëdhëniet me NATO pas përfundimit të luftës në Iran, duke rritur tensionet brenda aleancës transatlantike.
Në një deklaratë kritike, Rubio akuzoi disa vende evropiane për mungesë mbështetjeje konkrete ndaj operacioneve amerikane. Ai veçoi Spanja, e cila sipas tij ka refuzuar përdorimin e hapësirës ajrore dhe ka kufizuar aksesin në bazat ushtarake për operacionet që lidhen me konfliktin në Iran.
“Është e vështirë të mbash këtë nivel përkushtimi nëse aleatët nuk ofrojnë mbështetje kur ne kemi nevojë”, u shpreh Rubio, duke shtuar se aleanca nuk mund të funksionojë si “rrugë me një drejtim”.
Sipas tij, NATO mbetet e rëndësishme për SHBA-në, sidomos për vendosjen e trupave dhe pajisjeve jashtë territorit amerikan, por ky model duhet të rishikohet nëse nuk ka reciprocitet nga partnerët evropianë.
Këto deklarata vijnë në një moment kur edhe presidenti Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët për mbështetje të pamjaftueshme në konfliktin me Iranin.
Ndërkohë, duhet theksuar se Neni 5 i NATO-s – që garanton mbrojtjen kolektive – nuk zbatohet në këtë rast, pasi lufta ndaj Iranit është iniciuar nga SHBA dhe Izraeli, duke e bërë angazhimin e aleatëve më kompleks politikisht dhe ligjërisht.
Deklaratat e Rubios sinjalizojnë mundësinë e një riformatimi të marrëdhënieve SHBA–Evropë, në një kohë kur uniteti brenda NATO-s po vihet seriozisht në provë nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

